Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zotuar se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që Serbia të organizojë ilegalisht referendumin e saj brenda territorit të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, pasi Kuvend i Kosovës miratoi rezolutën që i thotë jo organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, Sveçla ka thënë se institucionet s’do të lejojnë që të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët pa dallim, që ne nuk jemi kundër askujt dhe nuk mohojmë të drejtën e askujt për të zgjedhur. Por, ne nuk do të lejojmë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit”, ka thënë ai.
Sveçla ka përsëritur se qytetarët serbë me dy shtetësi mund të votojnë me postë apo përmes Zyrës Ndërlidhëse.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, ju siguroj se do të kujdesemi maksimalisht që të veprojmë me transparencë të plotë, në pajtim me standardet demokratike dhe Kushtetutën tonë, për të garantuar kështu mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë. Është për t’u përshëndetur qëndrimi i përbashkët i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët sot miratuan Rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të organizohet dhe të hapen vendet e votimit për referendum të Republikës së Serbisë si dhe obligon Qeverinë dhe institucionet të ndërmarrin veprimet brenda kompetencave, për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, pa cenuar në anën tjetër as të drejtën e qytetarëve me dy shtetësi që të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai.