Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar të nominuarin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotin.
Pas këtij takimi ka thënë se subjekti i tyre politik përkrahë një Qeveri të udhëhequr nga Hoti. “Ia dhashë besimin e AAK për krijimin e një qeverie. Ky ishte konfirmim politik. Ende nuk është dekreti për nominim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se është kundër rritjes së numrit të ministrive. “Është shumë e rëndësishme mos të rritet numri i ministrive. Nëse ka probleme me funksionim, por nuk ishte dashur të rritet numri i ministrive. Është situatë e papritur pak edhe prej nesh, mirëpo na në çështjen se e me e lënë vendin pa qeveri apo me qeveri marrim përgjegjësi. Nuk e shohim këtë qeveri si përmbushje të interesave personale por si detyrë që na takon. Krijimi i Qeverisë mund të ndodhë disa ditë, nuk mund të marrë më shumë se një javë kjo procedurë”, u shpreh Haradinaj.
Ndërkaq Haradinaj ka treguar se nuk është biseduar për ndarjen e ministrie dhe ka shtuar se ai personalisht nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit. “Duhet të dërgojmë ministra sa më profesional. Askush nuk ka biseduar as negociuar dhe as është lakuar emri im për çfarëdo posti”.
Haradinaj ka folur edhe për çështjen e presidentit. “Zgjedhja e Presidentit është e vështirë sepse kërkon 2/3 e votave. Zgjidhja më mirë është që Presidenti të zgjidhej direkt nga populli”, ka thënë ai duke mohuar se mund të zgjedhet president i Kosovës nga marrëveshja që mund të arrihet tash me LDK-në”, theksoi ai.