Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se do të ketë mot kryesisht të vranët dhe vende-vende me riga shiu.
Nga ky institut bëhet e ditur se në viset e larta parashihen fjolla bore.
“Pas këtyre ditëve me temperatura të larta, dukshëm mbi vlerat e mesatareve, vendi ynë do të ndikohet nga masat relativisht të ftohta, duke ju afruar vlerave të temperaturave mesatare të muajit që jemi. Kjo situatë meteorologjike do të kushtëzoj mot kryesisht të vranët dhe vende-vende me riga shiu, ndërsa në viset e larta parashihen fjolla bore. Reshjet parashihen sot dikur vonë dhe gjatë natës”.
“Borë me intensitet të dobët mund të bie edhe në viset e ulëta, kryesisht në qendër dhe në pjesën veriperëndimore të Dukagjinit, por që përgjithësisht nuk parashihen reshje të dendura të asnjërës formë. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.
Tutje, IHK-ja ka bërë të ditur se do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-6m/s.