Qytetarët e mirëpresin vendimin që pa qenë i vaksinuar kundër COVID-19 të mos hyhet në Kosovë

Nga sot në Kosovë nuk mund të hyjnë personat që nuk janë të vaksinuar me të dy dozat e kurës kundër COVID-19. Deri më tani qytetarët mund të paraqisnin një test PCR negativ ose një tjetër se e kanë kaluar virusin korona për të kaluar.

Ekipi i Klan Kosovës ka qëndruar në aeroportin “Adem Jashari” dhe njofton se qytetarët që shkojnë jashtë Kosovës ose që kthehen, e kanë mirëpritur vendimin. Ata kanë bërë të ditur se janë lajmëruar edhe nga agjencitë ku kishin rezervuar biletat për vendimin.

Në ndërkohë bëhet e ditur se shumica prej tyre është dashur që të bëjnë edhe një test PCR, sepse disa vaksina nuk pranohen në disa shtete të Evropës.

Gjithashtu janë vendosur ekipe mobile në kufijtë tokësorë dhe në aeroportin “Adem Jashari” për të inkurajuar qytetarët që të vaksinohen.

Vendimi ishte bërë i ditur në kuadër të masave të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit që ishin prezantuar më 5 dhjetor dhe nga sot ka filluar zbatimi.