Ministri i Finanacave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në konferencën e mbajtur për fundvit ka shpalosur punën e bërë në vitin 2021 nga ministria të cilën ai e udhëheq, si dhe ka paralajmëruar edhe reforma e projekte të reja zhvillimore nga fusha e financave këtë vit.
Ndër reformat kryesore që ai ka përmendur është reforma në sistemin social dhe atë pensional të Kosovës, të cilën Murati e quajti edhe si sfidë për ministrinë, por duke mos lënë anash edhe paralajmërimet për projekte të tjera zhvillimore, të cilat do të përkojnë me planin e qeverisë për vitet 2021-2024.
Ndërkohë, si krizat kryesore gjatë vitit që e lamë pas, pra 2021-n, Murati përmendi situatën globale pandemike, inflacionin si dhe krizën energjetike, përcjell Buletini Ekonomik.
Por, para kësaj, ai tha se me të marrë detyrën në krye të kësaj ministrie, e njëjta ishte në një situatë kaotike me shumë borxhe të trashëguara dhe kontrata të dëmshme dhe se për të dalur nga kjo situatë, është dashur që së pari të bëhet skanimi i gjendjes, të identifikohen shkeljet dhe më pas këto shkelje të përcillen tek organet e rendit.
Ministri Murati theksoi se sa i përket pandemisë, MFPT-ja ka qenë në vazhdimësi mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave, barnave esenciale dhe ndihmën ndaj punëtorëve shëndetësor.
Kurse, për t’i bërë ballë fenomenit global të inflacionit, Murati deklaroi se kishin dhënë pensione shtesë për të moshuarit në vlerë të 100 eurove për muajin nëntor, si dhe kanë dyfishuar skemat sociale për muajt nëntor dhe dhjetor.
Ndërkaq, sa i përket krizës energjetike, nga Murati u tha se Qeveria ka ndërhyrë me dy vendime të ndryshme në vlerë të 40 milionë eurove, për të shtuar kështu likuiditetin e nevojshëm për ta adresuar nevojën e lartë për import.
Murati deklaroi e se përkundër sfidave në këtë sektor, Kosova gjatë 2021-s ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike, e cila deri në fund të vitit pritet të ketë rritje reale prej 10%.
Sipas Muratit, kjo rritje ekonomike reflektohet edhe me rritjen e qarkullimit të bizneseve, që në krahasim me vitin 2020 është 33%, ndërsa në krahasim me vitin 2019 është 23%.
Ai tha tutje se rritja ekonomike gjithashtu ka ndikuar edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, që në krahasim me periudhën shtator 2020 janë krijuar mbi 24 mijë vende të reja pune, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, Koosva ka rritje prej afro 45 mijë vende pune.