Trajtimet me limon për rritjen e flokut

Rritja e flokut nuk ndodh sa hap e mbyll sytë, pavarësisht sa shumë e duam atë. Shpesh ajo ngadalësohet si pasojë e ushqyerjes së keqe, stresit dhe rrethanave të tjera.

Megjithatë, ekspertët thonë se rritja e flokut mund të nxitet dhe përshpejtohet falë produkteve të duhura. Disa prej tyre janë: hudhra, lëngu i patates por edhe produkte të tjera.

Veç tyre, ju mund të përdorni edhe limonin, një agrume e cila është përdorur prej shekujsh për shëndetin, bukurinë e jashtme dhe rritjen e shkëlqimin e flokëve.

Limoni është i pasur me vitaminë C. Kjo vitaminë e ndihmon flokun duke nxitur prodhimin e kolagjenit. Aciditeti i limonit pengon rënien e flokut por edhe pastron skalpin e kokës nga zbokthi. Ai është efikas edhe në mbajtjen nën kontroll të prodhimit të yndyrës.

Një mënyrë shumë e thjeshtë për të shfrytëzuar limonin për shëndetin e flokut është ta shtrydhni gjysmën e tij dhe lëngun ta përdorni për të masazhuar kokën për rreth 5 minuta. Më pas duhet të prisni 10 minuta të tjera dhe ta vazhdoni rutinën tuaj të larjes dhe zbutjes së flokut.

Kjo kurë mund të përdoret një herë në javë dhe është më se e përshtatshme për njerëzit me flokë të yndyrshëm.

Lëngun e limonit mund ta bashkoni edhe me vajin e ullirit. Për këtë maskë ju nevojiten: 2 lugë gjelle vaj ulliri, 1 lugë gjelle vaj kastori, 4-5 pika vaj esencial limoni.

Më pas, vajrat aplikojini në rrënjët e flokëve për 15 minuta dhe maskën mbajeni për 30 minuta të tjera.

Pas maskës, mund t’i shpërlani flokët ose për të lehtësuar eliminimin e yndyrës, lyejini flokët me zbutës, mbajeni atë në flokë për 5 minuta dhe më pas lajeni me ujë dhe shampo. Këtë maskë mund ta përdorni 2-3 herë në javë.

Limonin mund ta përdorni edhe për shpëlarjen e flokut. Për këtë ju nevojitet një lugë gjelle limon dhe dy gota ujë. Treteni lëngun e limonit në ujë dhe përdoreni atë për shpëlarjen e fundit të flokut. Këtë trajtim mund ta bëni një herë në javë./AgroWeb.org