Pacolli thotë se i siguroi një njohje Kosovës, MPJ: Po e rrezikon procesin

Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar të japë informata lidhur me njohjen e paralajmëruar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, me arsyetimin se rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin.

MPJ, përmes një përgjigjeje për Klan Kosova u ka bërë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund t’i cenojë proceset e tilla.

“Nuk japim informacione lidhur me këtë temë. As në rastin konkret, e as në raste të ngjashme, ku rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të cenojë proceset e tilla të brishta”, shkruan në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka shkruar të shtunën publikisht kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se presidenti i një shteti është i interesuar të vijë këtë javë në Kosovë për ta zyrtarizuar njohjen e pavarësisë. Ai tha se të shtunën ia ka dërguar Kurtit mesazhin e këtij presidenti në WhatsApp.

“Në WhatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, pēr të kryar formalitetet e njohjës dhe të diskutojnë për vizitën e juaj evtl në këtë shtet”, shkroi Pacolli në Facebook.

Pacolli tha se për këtë njohje nevojitet vetëm miratimi i kreut të Qeverisë.

“Gjithçka është e rregulluar, zotëri Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj. Unë, si gjithmonë, jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje”.