Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka drejtuar një letër kryeministrit Albin Kurtit, në të cilën ia përmend një mesazh që ia kishte dërguar këtij të fundit, për njohjen e gatshme të një shteti ndaj Kosovës.
Pacolli, në këtë postim nuk e ka përmendur se për cilin shtet bëhet fjalë, veçse shkruan se e ka siguruar njohjen, por se Kurti nuk i ka dhënë një konfirmim.
Klankosova.tv i ka shkruar Pacollit për emrin e këtij vendi, por akoma nuk ka marrë një përgjigje.
Këtu keni postimin e plotë të tij:
Letër kryeministrit Kurti,
I nderuar zoti kryeministër,
Takimi ynë i fundit me ju ishte një natë para zgjedhjeve presidenciale, kur ju kishit nevojë për votën time. Duke e ditur se ju nuk përgjigjeni ne letrat e mia, ( ashtu siç nuk iu përgjigjët dhe as atyre letrave që kërkoja lirimin e instrumenteve mjekësore,sipas rregullave, për spitalin e pediatrisë që i kishit bllokuar në terminalet doganore.
Duke ditur këtë, më mbetet vetëm t’ju drejtohem publikisht;
Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për të kryer formalitetet e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj në këtë shtet.
Gjithçka është e rregulluar, zotri kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj.
Unë, si gjithmonë, jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje,
Me nderime,
Behgjet Pacolli