Gastronomëve u bëhet thirrje të mos lejohen në lokale klientët e pavaksinuar


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës u ka bërë thirrje gjithë gastronomëve që të respektojnë në mënyrë strikte masat anti-COVID.

Shoqata ka thënë se duhet ndaluar rreptësisht hyrja në lokale të klientëve të pavaksinuar, siç kërkohet me masat e Qeverisë. Të respektohet udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe po ashtu orari i lejuar për të punuar.

“Pas protestës që mbajtëm dhe pas një sërë takimesh me akterë relevent në çështjen e menaxhimit të pandemisë COVID-19, si përgjegjësi e secilit nga ne dhe e jona ndaj sektorit të gastronomisë, edhe njëherë kërkojmë nga të gjithë gastronomët respektimin strikt dhe permanent të masave kundër Covid-19. Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës përfaqësojmë vetëm ato biznese të cilat respektojnë masat dhe vendimet e Qeverisë, por natyrisht përgjigjemi për të gjithë sektorin. Duke e ditur rëndësinë e respektimit të masave së pari në mbrojtjen e shëndetit publik, është evidente që ajo luan një rol jashtëzakonisht të madh edhe në kujdesin ndaj shëndetit ekonomik. Pra: të ndalojmë rreptësishtë hyrjen në lokal të klientëve të pavaksinuar; të sigurohet respektimi i udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë; të respektohet orari i lejuar i punës. Me qëllim që të mundësohet lehtësimi i masave dhe dalja më e lehtë nga kriza ekonomike, kërkojmë respektimin e tyre, si parakusht të vetëm që lidhet me funksionimin e nevojshëm të gastronomisë”, thuhet nga Shoqata e Gastronomëve.