Zyra Tregtare e Austrisë në Prishtinë (Oda Ekonomike Federale e Austrisë), ka organizuar një aktivitet në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues institucional dhe përfaqësues të bizneseve vendore e austriake.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Austrisë, Christoph Weidinger, i cili vlerësoi lartë bashkëpunim e bizneseve austriake me ato kosovare.
“Më vjen mirë që shoh prezent një numër kaq të madh të bizneseve kosovare e austriake dhe në të njëjntën kohë, kjo është një dëshmi e mirë që ka bërë oda tregtare, për çka e falënderoj për kontributin e dhënë në këtç drejtim zonjën Huruglica” tha ai.
Ndërsa, drejtoresha e Zyrës Tregtare të Austrisë në Kosovë, Vjosa Huruglica, tha se ky aktivitet organizohet për të thelluar më shumë bashkëpunimin mes bizneseve austriake dhe atyre kosovare.
“Kosova dhe Austria kanë pasur bashkëpunim të hershëm, edhe ky aktivitet në të cilën marrin pjesë bizneset e dy vendeve tregon se sa i rëndësishëm është edhe komunikimi i ndërsjellët lidhur me mundësitë dhe potencialet ekzistuese”, tha ajo.
Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se Austria ka qenë një ndër shtetet e para që ka përkrahur Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Nuk duhet harruar se Austria ishte vendi i parë që i pranoi diplomat e Kosovës, pra po flasim para luftës së vitit 1999, pra ajo ka qenë një nga shtetet e para mike që ka ndihmuar Kosovën. Sot është koha që dy vendet të thellojnë bashkëpunimin ekonomiko tregtar”, tha ai.
Sipas tij Kosova ka shumë mundësi për bashkëpunim me Austrinë, një ndër fushat që mund të rritet bashkëpunimi është edhe fusha e metaleve, pasi që siq dihet Kosova ka shumë fabrika të përpunimin e metaleve.
Gërxhaliu vlerësoi se një problem i madh është mos liberalizimi i vizave.
“Shpresoj se Austria do të ndikojë pozitivisht që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodh sa më shpejt”, tha ai.
Edhe sponzorizuesi i këtij aktiviteti, Njazi Musliu, nga kompania “EUROMETAL”, nga Ferizja tha se bashkëpunimi tregtar me Austrinë ka rëndësi strategjike për Kosovën.
“Ne si kompani “EUROMETAL”, vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Austrinë, duhet punuar që të rrisim edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve”, tha ai.