Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka njoftuar se ka pranuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO) kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Kjo për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.
Sipas njoftimit thuhet se ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.
”Muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit. Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor”.
Mes tjerash thuhet se importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021.
”ZRRE në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit”.
Në njoftim po ashtu thuhet se paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës.
Tutje theksohet se ZRRE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve.