Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij do të jetë në opozitë.
“PDK do të jetë opozitë. As nuk pranon ftesa nga këta të cilët kanë shkuar, por as ata që do të vijnë”, ka thënë ai në takimin me Thaçin.
Veseli ka deklaruar se presidenti e ka mandatin kushtetues deri në ditën kur e mban mandatin.
“Nuk është çështje e vullnetit politik, por është obligim i juaji”, ka thënë ai.
“Situata e krizës është e pazakontë, aq më shumë se është shkaktuar nga vetë ata që do të duhej të qeverisnin. Pra, kemi një shkarkim të Qeverisë dhe një acarim i jashtëzakonshëm politik me qëllim të protagonizmit për përfitim elektoral edhe në këtë situatë që është e rëndë”, ka thënë Veseli.
Ai, në takimin e presidentit të Kosovës me përfaqësuesit e partivë politike, për krijimin e qeverisë, i ka akuzuar dy partitë që kanë qenë deri më tani në qeverisje, LVV-në dhe LDK-në.
“Qeveria në largim e kryeministrit, me hapat e ndërmarrë e ka bllokuar Kosovën e edhe vetveten. Të gjitha masat e ndërmarra paraqesin shkelje ligjore”, ka thënë ai.
Veseli e ka akuzuar qeverinë në detyrë edhe për “acarimin e raporteve me SHBA-në”.
“Por, aspekti më i rëndë është krijimi i situatës në veri”, ka thënë ai, duke e akuzuar Qeverinë në detyrë për jotransparencë.
Veseli po ashtu ka thënë se partia e tij është e gatshme t’i dalë zot të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Kjo është situatë edhe më e rëndë, sesa ajo për të cilën po flasim sot këtu. Sido që të jetë, kemi një situatë që është reale dhe të cilën edhe nëse duam, në zgjedhje nuk mund të shkojmë. Por në anën tjetër, edhe nëse duam, nuk mund ta lëmë këtë Qeveri”, ka thënë Veseli.