Konfirmohet arrestimi i tre të dyshuarve për vrasjen në Gllogjan

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se ka arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi të premten e fundit të nëntorit.

Këto informacione janë bërë të ditura sot në konferencën e mbajtur të shtunën mbrëma ku ka marrë pjesë kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj.

“Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen, e cila ka ndodhur para disa ditëve në fshatin Gllogjan”, ka thënë Kurmehaj.

Ai nuk ka dhënë motivin pse dyshohet se është kryer vrasja dhe as nuk ka lejuar pyetje t’i bëhen nga gazetarët me arsyetimin se hetimet po vazhdojnë dhe po punojnë që të zbardhet rasti sa më shpejtë.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit kishte ndodhur pasditen e 26 nëntorit. Aty ishte vrarë shoferi dhe dy nxënës, të cilët po ktheheshin nga shkolla për në shtëpi. Vrasja kishte ndodhur nga një person i armatosur me kallash dhe i maskuar.

Pas vrasjes së trefishtë kishin reaguar udhëheqësit shtetërorë e liderët partiakë, duke kërkuar zbardhjen e rastit.