Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka mirëpritur vendimin e fundit të SHBA-së për të sanksionuar disa serbë lidhur me krim të organizuar dhe korrupsion në veri të Kosovës, konkretisht grupi i njohur si Veselinoviq.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë mbledhjes së Qeverisë.
“Sanksionet e SHBA-së treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që shtypin e shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore dhe vërtetuan legjitimitetin e veprimeve të PK-së javë më parë në veri të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale”.
Më tej, Kurti shtoi se janë duke vazhduar të mbrojnë kauzën e tyre për drejtësi, barazi dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit.
“Jemi në javën e sensibilizimit të luftës kundër korrupsionit, dua të ju siguroj se do të vazhdojmë të mbrojmë kauzën që na ka sjell në Qeveri: Drejtësi, barazi dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit në çdo cep të Republikës. Vlerësimet e Kosovës në organizata çdo vit raportonin se korrupsioni ishte i përqendruar rreth qeverisë, dhe se fushat më të korruptuara ishin prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private. Për këta muaj të qeverisjes sonë kanë dëshmuar se korrupsioni nuk mund të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik, sepse dikasteret qeveritare udhëhiqen nga profesionistë. Po e theksoj edhe sot po u dëshmuar e kundërta masat do të jenë të menjëhershme, sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë Qeveri është zero”, ka potencuari ai në mbledhjen e Qeverisë.
Tutje, kryeministri ka shtuar “kemi në plan që prokurimi publik të jetë i mirëplanifikuar, i menaxhuar mirë me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies”.
“Korrupsioni dhe krimi i organizuar shkelin të drejtat e qytetarëve, varfërojnë popullsinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë shtetërore dhe kombëtare. Kemi treguar përkushtim në luftën kundër këtyre dy dukurive shkatërruese të shoqërisë”, ka thënë Kurti.