Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar që të ketë hapje të klubeve të natës dhe të mundësisë për organizim të dasmave për tri javët e fundit të vitit. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, dimri nuk do të jetë i njëjtë sikur vera, po që se hapet gjithçka sërish.
Sipas tij, verës është punuar pa asnjë masë e popullata ka qenë e pavaksinuar. Ai ka kërkuar që dimrit, kur sipas tij frekuentimi i klubeve të natës është 70 për qind më i ulët se verës, të ketë hapje të sektorit me kushtin që hyrjet të jenë vetëm me dëshmi të vaksinimit.
Ai ka thënë se duhet të lejohet puna për tri javë tash, “që të përfitojmë ne, por edhe shteti”. Sipas tij, po që se lirohet puna për këtë sektor në janar apo shkurt, “gjithçka do të jetë e kotë”.
Gjatë verës, kur nuk pati masa anti-COVID, në periudhën gusht-tetor pati shifra rekorde të rasteve të reja e fataliteteve nga virusi. Pas shtatorit nisi rritja enorme e shifrave të të vaksinuarve.
Ndërkaq, sekretari i kësaj shoqate, Arian Vrainca, ka thënë për KosovaPress se nëse nuk do të përmbushen kërkesat e tyre, do të ketë protesta. Ai ka kërkuar mbështetje financiare nga shteti.
Sipas masave të reja të Qeverisë që hynë në fuqi më 6 dhjetor kundër pandemisë Covid-19, gastronomia lejohet të punojë nga pra 05:00 deri në orën 23:00 të darkës, kurse sa i përket muzikës ajo lejohet vetëm deri në orën 21:30.