Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka folur në konferencë për medie për gjendjen e pacientëve me COVID-19 të shtrirë në këtë klinikë, ndër të cilët pacientë është edhe një grua shtatzëne.
Ajazaj-Berisha tha se për momentin, gruaja shtatzëne dhe bebja e saj janë në gjendje stabile, ndërsa tha se ajo është e shtrirë në repartin e izolimit dhe nuk ka nevojë për oksigjeno-terapi.
“Për momentin e kemi një shtatzënë, është në repartin e izolimit, është duke u trajtuar. Në konsulta me gjinekologun edhe sot pas kontrollit kemi parë se gjendja e bebes është stabile por edhe e nënës, ajo është stabile për momentin, ndërsa ajo nuk ka nevojë as për oksigjeno-terpi”, tha ajo.
Drejtoresha Ajazaj-Berisha foli edhe për gjendjen e pacientëve të tjerë dhe të infermierëve të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19.
“I kemi 58 raste të hospitalizuar, të konfirmuar COVID-19 pozitiv, prej tyre 46 janë në gjendje stabile dhe 11 në oksigjeno-terapi. Një pacient e kemi në gjendje kritike, në intensiv, është në gjendje të rëndë fatkeqësisht. Po përcillet vazhdimisht nga anesteziologët dhe mjekët që i kemi në repartin intensiv”, tha Berisha.
Sipas drejtoreshës së Klinikës Infektive, për momentin nuk ka ndonjë nga personeli i Klinikës Infektive që dyshohet se është i infektuar me COVID-19.
“Për momentin deri në këtë moment nuk e kemi asnjë nga stafi mjekësor që është i dyshimtë apo që është në vet-izolim. Por kemi thënë nga fillimi ë ne mundemi me qenë të infektuar. Në disa raste pavarësisht masave që i marrim, me natyrën e punës sonë, nuk mund të themi që s’mund jemi COVID-19 pozitiv. Pesë infermierët të cilët kanë qenë të infektuar janë shëruar dhe janë edhe për disa ditë duke u rehabilituar në shtëpi, të gjithë janë në gjendje stabile”, tha Ajazaj-Berisha.