Dyshimet për sulme, Ambasada Amerikane po monitoron situatën në bashkëpunim me policinë


Para disa ditësh u raportua në media se Kosova mund të jetë cak i sulmeve terroriste.

Disa institucione ndërkombëtare i kishin dërguar punonjësve të tyre në Kosovë porosi se ata duhet të bënin kujdes nga data 26 e deri më 30 nëntor pasi që vendi ynë mund të jetë cak i këtyre sulmeve.

Një vëmendje të posaçme pati Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila në njoftimet e saj për udhëtime të datës 22 nëntor, e kishte vënë Kosovën në listën që do të “konsiderohej” udhëtimi.

“Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani për shkak të potencialit për trazira civile për shkak të tensioneve etnike”, shkruante në këtë njoftim.

Por, burimet e Klankosova.tv bëjnë me dije se këto paralajmërime për sulme të mundshme terroriste nuk janë bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky burim njofton se Ambasada e SHBA-ve në Kosovë është duke monitoruar kërcënimet lokale, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës. për të siguruar punonjësit dhe qytetarët amerikanë.

Njoftimi i datës 22 nëntor nuk kishte të bënte me një paralajmërim për mundësinë e sulmeve terroriste, por bazohet duke parë rrezikun në lidhje me COVID-19, thotë ky burim.

“Ambasada e SHBA-së monitoron kërcënimet lokale për të garantuar sigurinë e punonjësve tanë dhe qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë. Për këtë arsye jemi në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës. Ne nuk ishim një nga misionet apo ambasadat që paralajmëruan punonjësit tanë dhe qytetarët amerikanë për këtë kërcënim të veçantë dhe nuk kemi plane ta bëjmë këtë momentalisht. Gjuha në lidhje me aktivitetin e mundshëm terrorist në Ballkan ka qenë në faqen e internetit për shumë muaj. Kjo nuk është e re. në fakt, të hënën e kaluar, më 22 nëntor, këshillimi i udhëtimit zbriti nga “Mos udhëto” në “Rikonsideroni udhëtimin”. Kjo kryesisht nxitet nga të dhënat nga CDC në lidhje me rrezikun e COVID-19 për amerikanët që mund të udhëtojnë në Kosovë”.