Konsumi familjar, i pamjaftueshëm për rimëkëmbje të bizneseve

Bordi i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) vizitoi biznesin anëtarë “Drini i Bardhë”, ku u pritën nga pronari Thomas Schoffler dhe përfaqësuesi Auron Osmanaj.

Qëllim i këtij takimi ishte identifikimi i sfidave të cilat biznesi po hasë si rezultat i gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19.

Duke pas parasysh vështirësitë me të cilat bizneset po përballen, identifikimin dhe adresimin e tyre tek institucionet kompetente, Oda e Afarizmit të Kosovës e konsideroi si të nevojshme vizitën tek anëtarët ashtu që të informohemi për gjendjen reale, tha kryetari bordit të OAK-së Skënder Krasniqi.

Krasniqi tutje shtoi që oda është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore, duke adresuar kërkesa për bizneset, njëkohësisht duke dërguar rekomandime për tejkalim të pandemisë.

Schoffler përgëzoi OAK-në për angazhimin e deri tanishëm, duke shtuar që masa e presionit ndaj Qeverisë për të mbështetur bizneset duhet të shtohet. Ai tutje shtoi që për bizneset dhe ekonominë në tërësi, problemet do të fillojnë të paraqiten pas 4 – 6 javëve.

Sipas Schoffler paga e ndarë nga Qeveria për sektorin privat është një hap i mirë për përkrahjen e bizneseve, mirëpo veçoi që kriza do t’i dëmtoj shumë bizneset e vogla dhe ato të mesme, prandaj duhet të gjenden metoda sa më të përshtatshme për përkrahje të tyre, duke mos lënë anash bizneset e mëdha por të cilat zakonisht mbajnë rezerva disa mujore. Ai gjithashtu veçoi që asnjëherë në politikën e Kosovës nuk ka ndodhë që në vizita zyrtare të marrin biznese me vete, në mënyrë që të promovohen produktet vendore dhe njëkohësisht konsiderohet si një metodë për tërheqje të investitorëve të huaj.

Shitja vetëm për ekonominë familjare, ku dihet që konsumi është shumë më i ulët po i dëmton të gjitha bizneset, duke na përfshirë edhe ne sepse momentalisht shitjen kryesore e kemi tek shishet e ujit 1.5l, e të cilat zakonisht përdoren për konsum familjar shtoi Schoffler.

Për më shumë, edhe pse pagesat ndaj biznesit nuk janë duke u bërë në mënyrë të rregullt, siç ka qenë në kohën para pandemisë, “Drini i Bardhë” SH.P.K. ka vendosur që stafin ta paguaj në mënyrë të rregullt, për aq kohë sa kanë rezerva.