Sot në orët e pasdites është mbajtur një takim i Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.
Në të është diskutuar për zhvillimet pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, njofton Klankosova.tv.
“Në takim u konstatua se situata me pandeminë në vendet në rajon, Evropë dhe më gjerë është përkeqësuar javët e fundit dhe, përkundër që në Kosovë numri i rasteve të COVID-19 është i vogël në javët e fundit, situata është jostabile, në veçanti duke pasur parasysh faktin se ka dy variante në qarkullim (varianti Delta që është akoma dominues dhe varianti Delta Plus), ndërkohë që informatat e para flasin që varianti tjetër i SARS –COV-2, Omicron, karakterizohet me shumë mutacione, përhapje të shpejtë dhe nuk ka shumë informata rreth rezistencës së tij ndaj vaksinave.” thuhej në një postim në Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë.
Tutje bëhej e ditur se gjatë javës së ardhshme do të do të rishqyrtohen masat në fuqi dhe do të merren masa të tjera, sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19.
“Për këtë qëllim u kërkua nga qytetarët e vendit që t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale.”
Gjithashtu u bëhet thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjet që të vaksinohen kundër COVID-19 pa humbur kohë.
“Nën kryesimin e zëvendësministres së Shëndetësisë Dafina Gexha Bunjaku, sot në orët e pasditës është mbajtur një takim i Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19. Pjesë e këtij takimi, në të cilin është diskutuar për zhvillimet pas identifikimit të varianti i ri të koronavirusit, Omicron (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, në mënyrë virtuale ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i cili ndodhet jashtë vendit.”