Tragjedia në Bullgari: Autobusi ka kaluar 113 herë kufirin me licencë të rreme  

Autobusi i kompanisë “BESA TRANS”, i djegur në Bullgari nuk ka pasur licencë për qarkullim, ndërsa kufirin e ka kaluar me certifikatën e një autobusi tjetër të kësaj kompanie.

Pohimi u bë nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski, i cili thotë se pronari nuk e ka lajmëruar këtë autobus dhe as nuk ka kërkuar certifikatë licence nga ministria.

Sipas ministrit, shoferët e autobusit nuk kanë qenë në marrëdhënie pune në këtë kompani.

“Autobusi i djegur me targa SK0284BA që ka qenë pjesë e fatkeqësisë së komunikacionit në Bullgari, nuk është paraqitur nga pronari në bazën e vetme elektronike të të dhënave në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, për çka autobusi i njëjtë nuk ka pasur certifikatë licence ndërsa për transportin e udhëtarëve ka shfrytëzuar certifikatë të pavlefshme të një autobusi tjetër”,  deklaroi Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Boçvarski tha se “Besa Trans” i është marrë licenca, ndërsa i gjithë dokumentacioni i është dorëzuar prokurorisë për ta hetuar rastin.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme deklaroi se autobusi i djegur në Bullgari, që në vitin 2020 ka qarkulluar jashtë vendit pa licencë.

“Sipas të dhënave të MPB-së autobusi në fjalë, në vitin 2020, në 22 raste ka realizuar hyrje dhe dalje në shtet, ndërsa në vitin 2021 ka realizuar 113 kalime të kufirit shtetëror. Ky autobus për herë të parë është regjistruar në Shkup më 15 tetor të vitit 2020 në pronësi të Besa Trans BTB, ndërsa kontrolli i fundit teknik i është bërë në 05 tetor të vitit 2021” është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, shkruan AlsatM, transmeton Klankosova.tv.

Spasovski shtoi se ndaj “Besa Transit” janë ngritur katër padi penale në vitin 2020 dhe katër në vitit 2021, për mosrespektim të masave anticovid dhe janë dorëzuar në procedurë gjyqësore. Të pyetur për përgjegjësi për rastin në fjalë, ministrat Boçvarski dhe Spasovski thanë se atë do ta dëshmojnë hetimet dhe organet përkatëse.