Derisa ka mbetur edhe rreth 1 muaj deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020, ende nuk ka një vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) se si do të përmbyllet ky vit.
Ministria ka bërë të ditur për KOHËN se brenda pak ditëve do të nxjerrë vendim që e rregullon aspektin ligjor të përfundimit të vitit shkollor, si dhe një udhëzim për vlerësimin e nxënësve, shkruan KOHA.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASHTI ka njoftuar se është krijuar një grup i gjerë profesional i përbërë nga ekspertët e Kosovës dhe rajonit. Vendimi i fundit për këtë çështje pritet të merret nga MASHTI në bashkëpunim me drejtoritë komunale të Arsimit.
“Zgjidhja e MASHTI-t merr parasysh zgjidhjet që janë bërë në vende të rajonit (Kroacia) dhe në vendet e avancuara (si për shembull Kanadaja), që karakterizohen nga një qasje njerëzore dhe profesionale. Sipas kësaj, nxënësi nuk mund të vlerësohet më pak se nota e fundit më 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi për shkak të COVID 19. Po ashtu, zgjidhja jonë merr parasysh dispozitat ligjore të Kosovës, si për shembull gjetjen e zgjidhjeve konkrete në rastet kur një nxënës nuk është i kënaqur me notën përfundimtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.