Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, pret që të ketë shkarkime në Telekom, derisa ka theksuar se menaxhmenti i trashëguar nuk mund të sjellë suksese.
“Telekomi është çështje shumë serioze, ku deputetët e VV-së dhe LDK-së kanë sjellë një rezolutë për ndryshim dhe pres nga Bordi që të adresojë të gjitha të gjeturat dhe të sjellë propozimin e saj. Unë pres atë (të ketë shkarkime). Dy anëtarë janë të pavarur apolitikë, dhe dy të tjerë janë propozuar nga Avdullah Hoti. Thirrja ime është që bordi të kryejë punën e vet. Unë pres shpëtimin e ndërmarrjes publike sa më shpejtë që është e mundur sepse ka humbje të mëdha”, ka thënë Hajdari në Interaktiv të KTV-së.
Ajo ka theksuar se Telekomi ka pasur humbje të mëdha dhe duhet të veprohet sa më shpejtë.
“Konkretisht ndërmarrja Telekom ka humbje të mëdha, në vitet e fundit 50 për qind apo më shumë, kështu që nuk mendoj se një menaxhment i trashëguar mund të sjellë sukses dhe pres nga Bordi të kryejë detyrat që ia ka dhënë Qeveria Kurti”, ka thënë ajo.
Hajdari gjithashtu ka thënë se vota e popullit nuk mund të ndryshohet.
“Kam ardhur me besimin e plotë nga Kurti që të menaxhojë këto pesë portfolio. Kemi shumë plane, duke u bazuar në programin qeverisës të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim që mundohet të vijë nuk e di sa do të jetë i gjatë, pasi vota e popullit s’mund të ndryshohet. Kushti i parë për sjellë investime në Kosovë është qeverisja e mirë dhe luftimi i korrupsionit dhe vendimet e tjera që qytetari i Kosovës ka pasur nevojë”, është shprehur Hajdari.