Pas anulimit të votave me postë Partia Demokratike e Kosovës prin me 17 vota nga raundi i balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.
Kandidati i PDK-së për kryetar, Shaban Shabani, ka thënë se ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për t’i anuluar të gjitha votat e ardhur me postë.
“Jemi për 17 vota përpara. Mbetemi fitues dhe PDK do të qeverisë me Dragashin edhe për një mandat. Jemi angazhuar shumë për këtë fitore”, është shprehur Shabani për Klan Kosova.
“Vendimi ka qenë i pritshëm, i bazuar në argumentet që kemi dorëzuar me paraqitjen e ankesës. Kemi pritur që të miratohet pozitivisht ankesa”.
“Votat me kusht dhe personave me aftësi janë numëruar dje ku kemi pasë 91 dhe LDK ia ka pasë 121. Në rezultatin e përgjithshëm e votave valide PDK i bie t’i ketë 17 vota më tepër”, tha ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrvendim për anulimin e votave me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.
PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.
Shefi i Shtabit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash, Qamil Kolloni, e ka kritikuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas anulimit të gjitha votave me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë qytet.