Përplasje e akuza mes Haxhiut e Deliu-Kodrës për punësimet familjare

Duke folur për punësimet familjare, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pyetur deputeten e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, lidhur me punësimin e motrës së saj në prokurim të Kuvendit dhe vëllait në RTK.

“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit ose vëllain në RTK, ose me ua përmend që dhëndrri juaj është arrestuar në OSHP”, deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi se ka argumente të mjaftueshme edhe për diskutime të tilla, derisa i ka ftuar deputetët e PDK-së për debat konstruktiv.

Në anën tjetër, deputetja Deliu-Kodra tha se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, tha ajo.

“Zonja Deliu kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në Kuvend dhe jo të ikë nga Kuvendi. Për ata që se dinë është fjala për rastin e Kumanovës, le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë se si ka ndodhur ai rast. Ndoshta zonja Deliu e di si ka ndodhur ai rast e le t’i tregojë institucioneve të drejtësisë”, tha në replikë ministrja Haxhiu.

Deputetët e PDK-së më pas kanë lëshuar sallën, me ç’rast nuk pati kuorum për votimin e projektligjit për provimin e jurisprudencës. Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.