Avokati i Popullit është deklaruar sërish rreth rastit të ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Përmes një njoftimi Avokati i Popullit ka njoftuar se më 18 nëntor 2021, ka marrë vendim që të refuzojë kërkesën e paraqitur nga Valdete Daka.
“Ky vendim komunikohet publikisht për shkak të interesimit të madh të mediave dhe pyetjeve që Avokati i Popullit ka pranuar lidhur me kërkesën e znj Daka. Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj. Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (neni 61, paragrafi 5) mbi të cilin, në mes tjerash, bazohet Vendimi nr.42/2021, i datës 14 qershor 2021 i Presidentes së Republikës së Kosovës. Së këndejmi, Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.