Konjufca tregon se pse Vetëvendosje nuk doli mirë në zgjedhjet lokale

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka folur për rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet lokale.

Ai në T7 tha se ky ishte një rezultat i papritur për Lëvizjen Vetëvendosje dhe dha arsyet se pse kjo parti nuk doli mirë në këto zgjedhje.

Sipas tij një dimension që i mungon Vetëvendosjes është zhvillimi i politikave lokale.

“Në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje doli me një rezultat të papritur, projeksionet tona ishin se do të fitojmë shumë më shumë komuna, por nuk doli ashtu. Unë mendoj që arsyeja kryesore ka të bëjë me mungesën që e ka Vetëvendosja në zhvillimin e politikave lokale. Mendoj që ky është faktori kryesor i një rezultati të tillë. Vetëvendosja prej kur është themeluar është marrë me tema nacionale prej planit të Ahtisarit, prezenca e UNMIK-ut, dialogu problematik me Serbinë, pastaj korrupsioni dhe drejtësia në Kosovë dhe luftimi i krimit të organizuar. Këto janë disa tema të nivelit nacional dhe figurat kryesore të Vetëvendosjes, prej Albinit dhe të gjithë të tjerët më shumë kanë qenë të fokusuar në Prishtinë dhe në nivel nacional”.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale ka dalë fituese në katër komuna: Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.