Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Lëvizja e tij Vetëvendosje po i analizon shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve lokale.
Pas rundit të dytë të këtyre zgjedhjeve, që u mbajt më 14 nëntor, Vetëvendosje përfundoi me udhëheqjen në katër komuna nga 38 gjithsej. Ky rezultat, sipas Kurtit, është i pakënaqshëm.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti thotë se është i gatshëm për këtë proces, por shton se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.
Duke folur për marrëveshjen e mundshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ai thotë se ajo duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
Sipas Kurtit, brengosës është edhe fakti i “militarizimit të Serbisë”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e fundit lokale ka marrë udhëheqësinë në katër komuna nga 38 gjithsej. Si e komentoni këtë rezultat?
Albin Kurti: Ne kemi pritur që do të kemi rezultat më të mirë dhe, rrjedhimisht, rezultati nuk është i kënaqshëm. Tani po e bëjmë një lloj analize të brendshme për defektet strukturore dhe organizative, të cilat me siguri që janë shkak i rezultatit të pakënaqshëm. Por, në anën tjetër, është edhe fakti që kishte një lloj bashkimi shumë të madh, një koordinim të të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj se këta dy faktorë kanë përcaktuar një rezultat jo të mirë për ne. Por, aty ku jemi opozitë, do ta bëjmë opozitën e mirë e të fuqishme, e aty ku jemi në qeverisje, do ta bëjmë qeverisjen e mirë dhe efikase.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni më shumë defektet që po i përmendni?
Albin Kurti: Së pari, unë kam zhvilluar tashmë një takim me 12 kandidatët që i kemi pasur në balotazh – edhe ata që kanë fituar, edhe ata që nuk kanë fituar. Jemi duke pritur një raport të shtabit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e të cilit pastaj do të diskutojmë në kryesi. Ajo që mund të them se është evidente, është [fakti] se Lëvizja Vetëvendosje, në këto vitet e fundit, në këta katër vjetët e fundit, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ne nuk kemi më as struktura, as organizatë, e cila është e përshtatshme për nga përmasa dhe as funksionale për nga përbërja, që t’i përgjigjet një rritjeje të këtillë. Pra, edhe zgjedhjet e 6 tetorit, 2019, edhe zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, na e kanë rritur shumë mbështetjen si Lëvizje Vetëvendosje dhe nuk kemi arritur që të mbajmë zgjedhje të brendshme dhe të krijojmë struktura që do të ishin adekuate për këtë situatë. Kjo është evidente, por natyrisht se ka edhe defekte të tjera, me të cilat do të na duhet të merremi.
Radio Evropa e Lirë: Disa analistë politikë, por edhe pjesëtarë të opozitës kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale pasqyron një lloj ndëshkimi të Lëvizjes Vetëvendosje nga votuesit. A konsideroni ju se ka pasur një ndëshkim të tillë?
Albin Kurti: Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit. Mendoj që mund të ketë pasur lëshime nga ana jonë, e strukturave tona. Por, unë besoj që qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti, ne u bëmë me votat e gjithmbarshme të parët edhe në nivel vendi, siç kemi qenë edhe në zgjedhjet parlamentare. Pra, në vitin 2017 ishim në nivelin e tretë, në rangun e tretë për zgjedhjet lokale. Tash jemi të parët edhe aty.
Mirëpo, zgjedhjet lokale, për dallim prej zgjedhjeve parlamentare, janë një lloj tjetër i lojës dhe rregullave elektorale. Është pak a shumë sikur në tenis, ku mund të fitosh shumë ‘game’, por mund të humbasësh set-in. Edhe ne, me votën e gjithmbarshme të popullsisë, jemi të parët në Republikë për zgjedhjet lokale, ndonëse do të kemi kryetarë vetëm në katër komuna.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kanë luajtur rol edhe kandidatët që i keni pasur?
Albin Kurti: Padyshim, por kandidatët janë përzgjedhur nga një lloj bashkëpunimi midis qendrave tona, degëve tona dhe kryesisë së Lëvizjes. Ndoshta ka mundur më mirë, mirëpo unë jam i bindur se këta 12 kandidatë që i kemi pasur në balotazh, nuk kanë mundur të përzgjidhen më mirë. Por, ka pasur koordinim tejet të madh të të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo mendoj se nuk ka të bëjë aq shumë me pushtetin lokal dhe vizionet për komunat, por ka shumë më tepër të bëjë me një lloj kundërvënieje ndaj pushtetit qendror, që ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, e që vazhdojnë të jenë një lloj traume opozitare.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët që do të bëni opozitë aty ku është e nevojshme në nivel lokal. Por, si pritet të jetë bashkëpunimi me kryetarët e zgjedhur nga niveli qendror, nga ju si kryeministër?
Albin Kurti: Unë sigurisht që do të bashkëpunoj me të gjithë kryetarët. Ata do të kenë shumë punë për t’iu shërbyer qytetarëve, sa u përket detyrave institucionale që i kanë, shërbimit publik që banori i komunës duhet ta marrë. Por, po ashtu synoj që të bashkëpunoj me ta edhe sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit. Kjo është tejet e rëndësishme, sepse nuk mund të ketë zhvillim, nëse ka korrupsion, nëse ka krim, nëse ka keqpërdorime. Prandaj, sidomos në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit do të kërkoj bashkëpunimin me kryetarët e komunave dhe do t’i mbikëqyr ata me vëmendje.
Radio Evropa e Lirë: E keni përmendur edhe një çështje, atë që e keni quajtur mafi të ndërtimit, si dhe krimin e korrupsionin që ndodhin në nivelin lokal. A do të ketë presion në kryetarët e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje në këto komuna që të bëhet një luftë më e ashpër në këtë drejtim?
Albin Kurti: Po të ishin kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të isha natyrisht me më shumë besim, se rezistenca ndaj mafias ndërtimore, që dëshiron që qytetet tona t’i shndërrojë në kantiere ndërtimi për shpëlarjen e parasë së pistë… Do të ishte më i madh ky lloj besimi që do të kisha në rezistencë të suksesshme. Tash duhet të angazhohem më shumë, por nuk do të mund të ketë zmbrapsje të shtetit ndaj cilitdo individ ose grupacion. Pra, shteti do të jetë më i fuqishëm se çdo individ dhe se çdo grup, në mënyrë që të kemi sundim të ligjit dhe demokraci. Unë dua të besoj që bashkë do t’ia dalim, mirëpo natyrisht që do të varet edhe prej vetë kryetarëve të komunave se në çfarë mase do të jenë në nivel të detyrës. Pra, kushtetutshmëria, ligjshmëria, rregullat, interesi publik, e jo ato tjerat.
Radio Evropa e Lirë: Po kalojmë te tema e dialogut me Serbinë. Ka qenë një prej temave qendrore të qeverisjes suaj. Si e shihni, si do të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?
Albin Kurti: Ne jemi duke biseduar për dialogun e ardhshëm me Serbinë, për kapitullin ardhshëm të dialogut. Kur ne kemi ardhur në qeverisje nuk ka pasur dialog, ai ka qenë i ndërprerë dhe nuk mund të them që dialogu me Serbinë ka treguar rezultate në këto vitet e fundit jo vetëm për shkak se pati devijuar në çështjen e ndarjes territoriale të Kosovës, që mbështillej në ambalazhin e shkëmbimit territorial.
Ka mungesë të progresit dhe kjo nuk ka nisur me neve, shumë më herët ka pasur mungesë të progresit, veçse ne e kemi vënë në spikamë që një pjesë e madhe e mungesës së progresit vjen nga qasjet e gabuara. Pra, nënshkruan marrëveshje të dëmshme për Kosovën që edhe Gjykata Kushtetuese, e tillë çfarë ishte, s’i kapërdinte dot. Në këtë kuptim, kemi nevojë për një kapitull të ri, kemi nevojë për një qasje të re, e për ne ajo duhet të jetë parimore me qytetarët si përfitues dhe me njohjen reciproke në qendër.
Ka një zhvendosje tektonike kohëve të fundit për të mirë, përderisa në dekadën e shkuar është konsideruar që Kosova bën koncesione sepse në fund e fiton njohjen nga Serbia. Pra, dialogu dhe njohja janë vënë në raport diakronik, janë vënë të shtrira në kohë, ku njohja na vije në fund e Serbia e shtynte fundin pafundësisht. Tash kemi një zhvendosje prej kontekstualizimit kohor në atë, le të themi, hapësinor, ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes dhe këtë e thonë të gjithë miqtë dhe partnerët e Republikës së Kosovës, të shtetit tonë të pavarur.
Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohja reciproke, mirëpo nuk ka marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër. Pra, jo në fund, në kuptimin e kohës, por në qendër, në kuptimin e hapësirës së gjësendeve të cilat i përfshin ajo marrëveshje.
Nëse ka një temë për të cilën ne jemi menjëherë të gatshëm që të angazhohemi për të gjetur sa më shpejt e sa më shumë zgjidhje është ajo e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë meqenëse aty ankthi i familjarëve është më i madh se pikëllimi i tyre.
Radio Evropa e Lirë: Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka paralajmëruar që pritet një takim mes jush dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq para fundit të vitit. A do të merrni pjesë në këtë takim dhe çfarë pritet të ndodhë?
Albin Kurti: Ne duhet të shohim së pari se si po shkojnë këto bisedimet kësaj jave ndërmjet dy kryenegociatorëve. Në njërën anë është zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi, në anën tjetër është përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë (Petar Petkoviq) dhe më pastaj do të mund të themi se cila është perspektiva e një takimi të ardhshëm, me ç’rast natyrisht se duhet të dihet edhe cili është synimi i një takimi të tillë. Unë nuk i them jo një takimi në parim, por natyrisht që duhen të dihen edhe elementet e atij takimi të ardhshëm.
Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër kemi shprehur gatishmërinë dhe interesimin tonë për marrëveshje gjithëpërfshirëse, për takime konstruktive, për bisedime parimore dhe nëse do të ftohemi për to në Bruksel, natyrisht që do të marrim pjesë siç kemi qenë edhe dy herëve të shkuara.
Radio Evropa e Lirë: E thatë edhe ju, por edhe BE-ja në vazhdimësi ka insistuar që një marrëveshje përfundimtare duhet të ndodhë sa më parë që është e mundur. A prisni që kjo mund të ndodhë brenda mandatit tuaj si kryeministër?
Albin Kurti: Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, (Joe) Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Serbia.
Normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë është i tillë që varet shumë më tepër nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar qasjen dhe veten e saj.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te gatishmëria e Serbisë, një prej bllokadave më të mëdha të këtij dialogu është edhe Marrëveshja e Asociacionit. Ju keni thënë se nuk pranoni assesi një asociacion njëetnik, megjithatë nga Serbia është bërë e qartë që po kërkojnë që Asociacioni të themelohet sipas marrëveshjes që është bërë në Bruksel. Edhe nga BE-ja është kërkuar respektimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani. Si do të mendoni ta tejkaloni këtë pengesë? A do të kishin pranuar rinegocim për këtë marrëveshje?
Albin Kurti: Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialogu midis dy shteteve tona nuk është dialog për statusin e Kosovës, as për çështje të brendshme të Kosovës, por për statusin e raporteve tona. Pra, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial, me shumë probleme, njëri ndër kryesorët është Serbia. Pra, Kosova nuk është problem, Kosova ka problem dhe problemi i Kosovës është edhe Serbia. Ne nuk jemi vet problem, ne kemi probleme të shumta e njëri prej tyre, mbase kryesori, është Serbia.
Por, dialogu nuk bëhet për ta vënë në pikëpyetje Kosova vetveten, por për të normalizuar raportet me Serbinë. E për ta normalizuar raportin me Serbinë unë besoj që duhet të ndryshojë shumë më tepër Serbia. Ajo duhet të demokratizohet, duhet të ketë sundim të ligjit, duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe duhet të kemi një si lloj simetrie të reciprocitetit të të drejtave të pakicave.
Përgjatë gjithë Ballkanit Perëndimor me gjashtë shtete ende të paintegruara në Bashkimin Evropian ka pakica të ndryshme kombëtare të cilët nuk kanë përafërsisht të drejta të barabarta, se s’po them identike, do të krijohen tensione që mund të shkaktojnë konflikte.
Andaj, sundimi i ligjit kundër korrupsionit e krimit, demokratizimi kundrejt autokracive, ballafaqimi me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe gjithashtu reciprociteti i të drejtave kundër dominimit të nacionalizmave shovinistë e hegjemonistë, janë formula edhe për krejt Ballkanin në përgjithësi edhe në veçanti në raportin tonë me Serbinë.
Shikoni, Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtri sesa pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor marrë së bashku. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë për ushtri sa shpenzon Serbia si e vetme. Ajo këtë nuk po e bën për Hungarinë e Rumaninë dhe ky militarizim i Serbisë është shumë brengosës për ne.
Përshtypja ime është që Serbia i ngjan gjithnjë e më shumë Gjermanisë midis dy luftërave botërore pas përfundimit të Republikës së Vajmarit. Dekada e parë e këtij shekulli në Serbi kishim një version serb të Republikës së Vajmarit, që nisi me ish-kryeministrin serb që e vranë, Zoran Gjingjiq e përfundoi me ish-presidentin, Boris Tadiq dhe që prej atëherë e kemi një periudhë ku Serbia i ngjan Gjermanisë midis dy luftërave botërore, por pas përfundimit të Republikës së Vajmarit me ç’rast militarizimi është shtysa kryesore shtetërore e institucionale.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, po thoni në vazhdimësi se Serbia është problemi kryesor, megjithatë Kosovës po i kërkohet një lloj kompromisi për të vazhduar tutje në politikën e jashtme, për të arritur edhe njohjet që deri më tani nuk janë arritur. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi? Na intereson të dimë edhe si e shihni angazhimin e SHBA-së, sidomos në kohët e fundit, me dërgimin e emisarit Gabriel Escobar. A e shihni një ofensivë të diplomacisë amerikane në dialog si një lloj shtyse për arritjen e kompromisit?
Albin Kurti: Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, mirëpo për formën dhe intensitetin e atij angazhimi vendosin vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë superfuqia botërore, e cila vendos për këtë gjë. Në faza të ndryshme ka qenë e ndryshme, sepse politikat e tyre janë sovrane. Në anën tjetër, unë jam këtu si kryeministër i Republikës së Kosovës, jo për të menduar për kompromiset që duhet t’i bëjë Kosova, por për ta forcuar shtetin e Kosovës.
Rritja ekonomike në këtë vit do të jetë së paku 9.9 për qind sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkohë që ekonominë e kemi marrë nga viti i kaluar me tkurrje prej 3.1 për qind, sipas Bankës Botërore. Për një të tretën janë rritur të hyrat buxhetore, i kemi zvogëluar shumë shpenzimet qeveritare dhe e kemi miratuar në mbledhjen e Qeverisë buxhetin për vitin 2022, i cili është 8.7 për qind më i lartë sesa rishikimi i buxhetit në mesvit. Qarkullimi në ekonomi është rritur për 30 për qind, eksportet janë rritur 68 për qind. Ne kemi problem me Serbinë, mirëpo, në të njëjtën kohë, ne duhet të jetojmë dhe të forcohemi.
Në gjashtëmujorin e këtij viti kishim 230 milionë investime të huaja, që është 33 për qind më shumë se viti i kaluar dhe 109 për qind më shumë sesa viti 2019 dhe 89 për qind më shumë se mesatarja e investimeve të huaja të dekadës 2010- 2020. Që nga shpallja e pavarësisë, sivjet në gjashtëmujorin e parë kemi numrin më të madh të investimeve të huaja dhe vlerën më të madhe të tyre në Kosovë.LEXONI EDHE KËTË:Disa shtete evropiane rikthejnë masat kufizuese
Radio Evropa e Lirë: Do të doja të kalonim pak në një prej krizave ose krizën më të madhe në të cilën po kalon Kosova, por edhe bota – pandeminë e koronavirusit. Nëse e marrim me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë, vaksinimi arrin diku pak më shumë se 40 për qind të popullsisë së vaksinuar. Si mendoni që të arrini cakun e vaksinimit të shumicës së popullsisë dhe si mendoni që t’i bindni qytetarët që hezitojnë për vaksinim?
Albin Kurti: Tashmë ne kemi hequr obligimin për caktim termini për vaksinim dhe kemi krijuar mundësinë edhe për vaksinim të fëmijëve nga mosha 12 deri në 15 vjeç. Nëse shikojmë popullsinë mbi moshën 16-vjeçare, me së paku një dozë të vaksinës anti-COVID janë të vaksinuar 64 për qind e popullsisë, ndërkaq me dy doza 56 për qind e popullsisë – gjithnjë e popullsisë mbi 16-vjeçare. I jemi afruar shifrës prej 1.6 milion dozave të administruara. Po bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo të rritet. Në 30 ditët e fundit, përgjithësisht, kemi numër njëshifror të vdekjeve. Në dy javët e fundit ka rënë me dy të tretat numri i infeksioneve dhe besoj se këto janë lajme të mira për Kosovën, e cila është në krye të Ballkanit Perëndimor sa i përket menaxhimit me pandeminë, duke mos harruar se kur kam ardhur këtu në zyrë, më datën 23 mars të këtij viti, ka pasur zero vaksina, zero kontrata për vaksina dhe zero negociata për kontrata.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, jemi dëshmitarë të asaj që për shkak të hezitimit për marrjen e vaksinës dhe teorive konspirative që janë përhapur, shumë vaksina kanë shkuar dëm, për shkak që qytetarët nuk kanë pranuar t’i marrin. A mendoni se keni bërë mjaftueshëm në fushatë për bindje të qytetarëve për vaksinim dhe për largimin e teorive për dëme nga vaksinat?
Albin Kurti: Ne kemi bërë krejt çfarë mundemi e dimë. Duhet të gjejmë ndoshta edhe forma të reja për t’i vetëdijesuar qytetarët për këtë gjë, mirëpo nuk do të mund ta kemi shkallën e vaksinimit si në të kaluarën edhe për shkak të një lloj ngopjeje që ekziston, por edhe për shkak se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk janë banorë të Republikës së Kosovës. Pra, kur flasim për statistika, Kosova vazhdon të ketë moshë të re të popullsisë, por në të njëjtën kohë vazhdon ta ketë edhe emigrimin e vazhdueshëm, paçka se u çliruam, e u shpall pavarësia. Prandaj, kur flasim për përqindjen e popullsisë, ngjashëm pak sikur përqindja e daljes në zgjedhje, ajo është realisht më e lartë sesa shifra para përqindjes.
Radio Evropa e Lirë: Përtej vaksinimit jemi dëshmitarë të rritjes së numrave me COVID-19 nëpër rajon. Megjithëse Kosova tani qëndron mirë, ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar që kjo situatë mund të importohet edhe në Kosovë. Cilat janë planet e juaja tani, sidomos në prag të sezonit të dimrit, për të evituar një valë më të rëndë të COVID-19?
Albin Kurti: Ne do të kemi tani ministër të Shëndetësisë, me të cilin do të ulemi bashkë dhe do ta bëjmë një plan të ri për rrugën përpara, sidomos për stinën e dimrit dhe, në këtë mënyrë, besoj se do të vazhdojmë të jemi në krye të detyrës, t’i mbajmë shifrat e ulëta të infeksioneve të reja, t’i mbajmë gjithnjë më të larta shifrat e vaksinimeve të reja. Nëse vjen një valë tjetër në rajon dhe Evropën Perëndimore, është e pritshme që edhe ne do të mund të kemi vështirësi. Por, me vullnetin dhe dijen që kemi dhe me përvojën që tashmë posedojmë, jam optimist.
Radio Evropa e Lirë: Në shtetet e Evropës, për shembull, në Austri janë vendosur disa masa drastike për personat e pavaksinuar, si përpjekje për t’i ulur numrat gjithnjë e në rritje. A planifikoni ju si qeveri që në të ardhmen të ketë masa të veçanta për personat jo të vaksinuar, si për shembull izolimi?
Albin Kurti: Ne nuk e kemi parashikuar një masë të tillë drastike dhe gjendja epidemiologjike në vendin tonë, rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik nuk na japin mundësinë që të shkojmë në drejtim të një rreptësie të tillë. Nuk mund të parashikoj se si do të jetë në të ardhmen. Mund të ndryshojë kjo. Por, duhet ta keni parasysh që vendimet tona si qeveri edhe kur janë politike e kanë një substancë shkencore për brenda. Pra Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i cili në masë të konsiderueshme u jep drejtim e rreze veprimi vendimeve që i merr qeveria e Kosovës. /REL/