Mbi 22 punëtorë shëndetësorë të infektuar me koronavirus në Kosovë

Më shumë se 22 punëtorë shëndetësorë në Kosovë janë infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri, kurse 130 janë në vetizolim, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, Kryetari i Federatës e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Ai shtoi se, bazuar ne informacionet e deritashme, gjendja e tyre është e kënaqshme, ndonëse ekziston shqetësimi se numri mund të rritet.

Ai u bëri thirrje institucioneve përkatëse të shtojnë kujdesin ndaj masave personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, duke shtuar se “koncentrimi ma i madh është në ata te fronti i parë, duke harruar ata në vijën e dytë e të tretë”.

Deri më tash, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, – prej tyre 123 janë shëruar.

Numri i viktimave të martën ka arritur në 16.