Mbyllën 24 lokale në Prishtinë për mosrespektim të masave antiCOVID

Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë brenda një jave kanë mbyllur 24 lokale në Kosovë – kryesisht të gastronomisë – prej tyre 23 në Prishtinë, për shkak të mos-respektimit të masave anti-COVID-19.

Po ashtu, gjatë javës janë shqiptuar edhe 184 gjoba, ku 58 janë shqiptuar për persona fizik, ndërkaq 126 për persona juridik.

Sipas raportit javor që është publikuar nga AUV-i, gjatë kësaj jave inspektorët sanitar kanë bërë gjithsej 2 mijë e 413 inspektime në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj e Gjilan.

Më së shumti gjoba për persona juridik inspektorati sanitar ka shqiptuar në Komunën e Prishtinës, gjithsej 36, ku edhe janë mbyllur 23 subjekte.

Ndërkaq gjoba për persona juridik janë shqiptuar po ashtu në Komunën e Mitrovicës 2, Pejë 33, Prizren 24, Ferizaj 15, Gjilan 28.