Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2020, përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF), e rendit Kosovën për pesë vende më lartë sesa vitin e kaluar.
Kosova është renditur në vendin e 70 këtë vit, teksa në 2019, ishte në vendin e 75-të në këtë indeks.
Në këtë raport thuhet se mediat në Kosovë mbesin të ndara në vija etnike.
“Qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, në shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së medieve”, thuhet në raportin e RSF-së për Kosovën.
Aty theksohet se shumica e medieve në Kosovë nuk janë të qëndrueshme financiarisht, duke i bërë kështu të ndjeshme ndaj ndikimeve politike.
Raporti thekson se fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur deri më tani, përfshirë ata gazetarë që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999.
Sipas këtij raporti, Reporterët pa Kufij thonë se dekada e ardhshme është vendimtare për të ardhmen e gazetarisë. “Me pandeminë COVID-19, përforcohet kriza që kërcënon të drejtën e raportimit të lirshëm, informacionit të pavarur, të larmishëm e të besueshëm”, thuhet në këtë raport.