Janë konfirmuar 12 raste të variantit Delta Plus të koronavirusit në Kosovë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Nga 70 mostra të dërguara për analiza në Gjermani, 12 prej tyre kanë rezultuar me variantin Delta Plus, ndërsa 47 me variantin Delta. Në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë, është paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së shpejtë të variantit të ri.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka thënë se të hënën do të dërgojë mostra të tjera pozitive të mbledhura gjatë dy javëve të fundit.
“Situata me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënie të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit. Gjithashtu edhe trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe spitalet që trajtojnë pacientët me COVID-19. Ekipet e IKSHPK po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta PLUS. Pasi që janë detektuar 12 raste SARS CoV-2 varianti AY.4-like Delta Plus në Kosovë (20.33%), edhe-pse varianti Delta akoma është dominant (79.66%), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”, thuhet në njoftim.
Në fund të komunikatës, MSH-ja ka bërë thirrje për zbatim të masave anti-COVID e të ketë monitorim të masave me dinamikë të shtuar nga Inspektorati dhe Policia për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike. Është bërë thirrje edhe për vaksinim sa më të shpejtë ndaj virusit.
Sipas hulumtimeve të para, varianti i ri përhapet më lehtë. Megjithatë ai nuk është kërcënim më i madh për shëndetin sesa varianti Delta. Ky variant u zbulua në Indi.