Qeveria miraton, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe atë për Pije të Forta Alkoolike

Në mbledhjen e Qeverisë të zhvilluar sot gjatë ditës, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, nga kabineti qeveritar u miratuan dy projektligje, Projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Projektligji për Pije të Forta Alkoolike.

Të dy këto projektligje vijnë me qëllim të realizimit të objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të legjislacionit dhe modernizimin e legjislacionit në përgjithësi në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Projektligj për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i përcakton politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin, planifikimin, masat e politikave bujqësore; masat për bujqësi të integruar, prodhimin organik, standardet e cilësisë dhe marketingut, bazën e të dhënave, regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi, mbështetjen institucionale në bujqësi, kontrollin administrativ, masat e menaxhimit të rrezikut në bujqësi dhe restaurimit të potencialit të prodhimit bujqësor, partneriteti social e ekonomik në fushën e bujqësisë dhe inspektimit në teren të zbatimit të masave të politikave bujqësore, në nivel sa më të avancuar si në aspektin profesional ashtu edhe praktik”, shtoi ministri Peci.

Sa i përket Projektligjit për Pije të Forta Alkoolike, ministri Faton Peci para Kabinetit Qeveritar theksoi rëndësinë e aprovimit të tij duke thënë se ky Projektligj synon të rregullojë çështjet që kanë të bëjnë me regjistrimin, prodhimin, përpunimin, mbrojtjen e treguesve gjeografikë dhe cilësisë, përshkrimin, prezantimin si dhe etiketimin, importimin, tregtimin e brendshëm dhe eksportimin e  pijeve  alkoolike.

Vlenë të theksohet se të dy këto veprime legjislative janë në vijë të plotë me përkushtimin e prioriteteve të Qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit dhe zbatimin e politikave zhvillimore në sektorin e bujqësisë.