Emërimi i ministrit të ri të Shëndetësisë, Faton Peci: Për këtë vendos kryeministri

Ministria e Shëndetësisë që nga dorëheqja e Arben Vitisë, është duke funksionuar me ushtrues detyre, ku është emëruar Dafina Gexha-Bunjaku.

E për emërimin e ministrit të ri në këtë dikaster, ende nuk është vendosur. Ministri i Bujqësisë nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci u pyet sot nga gazetarët lidhur me këtë çështje.

Ai tha se për emrin e ri të ministrit të Shëndetësisë do të vendos kryeministri Albin Kurti.

Peci u pyet edhe nëse ministri do të jetë nga Lista Guxo, mirëpo ai tha se nuk mund të flasë për emrin.

“Tash unë këtu kam dalë për të diskutuar për zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë. Se cili do të jetë emri i ri i ministrit të Shëndetësisë do ta vendos kryeministri. Ne si partner i Qeverisë normalisht që do ta kemi pjesën e konsultave, por nuk mund të flas se cili do të jetë ministri i Shëndetësisë”, tha Peci.

Ai tha se kryeministri me siguri do të flasë me të gjithë partnerët e koalicionit për të vendosur më pas lidhur me këtë çështje.

“Është çështje e kryeministrit, në diskrecionin e tij. Ai me siguri që do t’i bëjë të gjitha veprimet ose konsultat paraprake me të gjithë akterët relevantë edhe në Vetëvendosje, edhe në Listën Guxo, edhe në partnerët tjerë të koalicionit”, tha Peci.