Ahmeti: 6 raste pozitive, shumica familjarë të ngushtë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nga 61 teste të kryera sot në kryeqytet, gjashtë persona kanë rezultuar pozitivë, shumica familjarë të ngushtë të një rasti të djeshëm.

Ai me këtë rast u ka uruar shërim të shpejtë të gjithëve, duke kërkuar edhe një herë nga qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, pasi numri i vazhdueshëm i ultë i rasteve të reja lejon më shpejt zbutjen e masave.

“Nga 61 teste sot në Prishtinë të kontakteve, 6 kanë rezultuar pozitiv, shumica familjarë të ngushtë të një rasti dje. I urojmë shërim të shpejtë të gjithëve dhe vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi. Numri i vazhdueshëm i ultë na lejon zbutjen e masave më shpejtë”, ka shkruar Ahmeti.

Në Prishtinë deri sonte janë konfirmuar 65 raste me koronavirus, prej tyre asnjë i shëruar dhe një i vdekur.