Lipjani, Peja dhe Prishtina prijnë sonte me numrin e të prekurve me koronvirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe 37 raste të reja me koronavirus në Kosovës. Në total numri i të prekurve me COVID-19 ka shkuar në 598, numri i atyre të vdekur ka shkuar në 15 persona.

“Sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste me vendbanim në Lipjan, tetë (8) raste me vendbanim në Pejë, gjashtë (6) raste me vendbanim në Prishtinë, pesë (5) raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër (4) raste nga Komuna e Podujevës (sipas vendbanimit: dy (2) raste Podujevë dhe dy (2) raste Pollatë), dy (2) raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një (1) rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Po ashtu sipas IKSHPK-së, janë shëruar edhe 21 pacientë, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 123.

Nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy (2) raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një (1) rast i vdekjes.

“Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej pesëmbëdhjetë (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6351 kontakte të rasteve.