Pas miratimit të Koncept Dokumentit për vetingun, sot u mbajt takimi i parë i Grupit Punues, të ngarkuar me hartimin e amendamenteve kushtetuese, si një hap tutje drejt realizimit të reformës së domosdoshme në dobi të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
“Diskutimet lidhur me nevojën për reformë në drejtësi, janë prapa nesh. Tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin apo jo. Kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi. Sepse, na duhen gjyqtarë të drejtë e efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjikë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.
Ai theksoi domosdoshmërinë e përqendrimit në hapa të atillë, që do kenë për qëllim sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorit të drejtë dhe së fundmi, fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
Në mungesë të sistemit të tillë, që karakterizohet me efikasitet, transparencë, llogaridhënie dhe besim, nuk mund të flitet për drejtësi, e në mungesë të drejtësisë, shoqëria jonë rrezikohet me sakrifikim, jo vetëm të sundimit të ligjit, por edhe vlerave themelore të një shoqërie demokratike, tha kryeministri.
Më tej, ai tha se përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë, është vetingu. Vetingu do sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të performancës dhe profesionalizmit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryeministri potencoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe kushtetues me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, pasi që përgjigja pozitive ndaj reformës, sidomos nga ky sistem, do tregonte maturi dhe vullnet për reformat, të cilat drejtësisë do t’i sjellin rezultate, pavarësi, profesionalizëm dhe besim.
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vetingut, do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të qytetarit për drejtësi dhe nevojën esenciale për ushtrimin e të drejtave të garantuara. Gjithashtu, do të krijojë hapësirën e domosdoshme, që Qeveria dhe institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit e të mos krijojnë sundim mbi të, tha kryeministri duke theksuar vendosmërinë për të kompletuar këtë reformë deri në fund.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se mekanizimi i vetingut do të garantojë një sistem drejtësie sa më afër me qytetarin dhe sa më të përgjegjshëm, që secili qytetar pa dallim, të marrë drejtësinë e duhur në kohën e duhur.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre Haxhiu,
Të nderuar anëtarë të grupit punues,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Pas miratimit të Koncept Dokumentit për Vetingun, sot e hapim takimin e parë të grupit punues, të ngarkuar me hartimin e amendamenteve kushtetuese, si një hap tutje drejtë realizimit të reformës së domosdoshme në dobi të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Padyshim se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional, është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase. Fatkeqësisht, sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë, në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënies, e me drejtësi selektive e të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, vazhdon ta karakterizojë sistemin e drejtësisë. Kjo konstatohet në raporte kredibile vendore dhe ndërkombëtare.
Diskutimet lidhur me nevojën për reformë në drejtësi, janë prapa nesh. Tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin apo jo. Kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi. Sepse, na duhen gjyqtarë të drejtë e efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjik.
Pra, duhet përqendruar në hapa të atillë, që do kenë për qëllim të fundit sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorit të drejtë dhe së fundmi, fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
Në mungesë të sistemit të tillë, që karakterizohet me efikasitet, transparencë, llogaridhënie dhe besim, nuk mund të flitet për drejtësi, e në mungesë të drejtësisë, shoqëria jonë rrezikohet me sakrifikim, jo vetëm të sundimit të ligjit, por edhe vlerave themelore të një shoqërie demokratike.
Përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë, është vetingu. Vetingu do sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të performancës dhe profesionalizmit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Krahas vetingut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar gjithashtu iniciativa të tjera të reformës në drejtësi, siç janë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial, Ligjit për Prokurorin e Shtetit, si dhe atë për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, të cilat prodhojnë zgjidhje të duhura për shoqërinë dhe jo rehati apo privilegje për individin.
Nisur nga rëndësia e këtyre nismave të përmendura, e konsideroj të domosdoshëm bashkëpunimin ndër-institucional, pjesëmarrjen e ekspertëve dhe shoqërisë civile në grupe të këtilla punuese, pasi që reforma, në karakterin e saj gjithëpërfshirës, është në dobi të çdo qytetari e do ketë pasoja në ushtrimin e të drejtave të secilit. Do të doja të potencoj rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe kushtetues me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, pasi që përgjigja pozitive ndaj reformës, sidomos nga ky sistem, do tregonte maturi dhe vullnet për reformat, të cilat drejtësisë do t’i sjellin rezultate, pavarësi, profesionalizëm dhe besim.
Reformat e këtilla duhet kuptuar si garantuesin më të madh të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit, pikërisht për faktin, që ekuilibri brenda pushtetit e në mes të pushteteve, ka për detyrë të sigurojë këtë.
Bilanci ndërmjet fuqive rritë llogaridhënien e llogaridhënia ngrit efikasitetin. Efekti i tillë prodhon transparencë të domosdoshme për qytetarin dhe kthen besimin e tij në drejtësi. E ky besim është garantuesi dhe mbrojtësi më i mirë i pavarësisë së pushtetit.
Të nderuar të pranishëm dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vetingut, do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të qytetarit për drejtësi dhe nevojën esenciale për ushtrimin e të drejtave të garantuara. Gjithashtu, do të krijojë hapësirën e domosdoshme, që Qeveria dhe institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit e të mos krijojnë sundim mbi të. Tashmë jemi të vendosur më shumë se kurrë, që këtë reforme, ta kompletojmë tutje deri në fund.
Së fundmi, më lejoni që t’ju falënderoj të gjithëve për kontributin e dhënë në hartimin e Koncept Dokumentit për Vetingun dhe ju dëshiroj punë të mbarë në hartimin e legjislacionit të rëndësisë jetike për implementimin e reformës.
Ju faleminderit.