Facebooku has në telashe për të regjistruar emrin e ri

“Meta PCs”, një kompani me bazë në Arizona që shet kompjuterë, laptopë e softuerë ka qenë dyqan i panjohur deri javën e shkuar. Më pas, të enjten, shefi i Facebookut, Mark Zuckerberg, njoftoi se korporata do të ndryshojë emrin në “Meta” dhe dyqani u gjet në përballje me gjigantin e madh teknologjik.

Fatmirësisht për “Meta PCs”, kompania i parapriu Facebookut në regjistrim final të biznesit. Sipas dokumenteve të publikuara nga TMZ, kompania aplikoi për regjistrim në muajin gusht, tek një vit pasi nisi funksionimin.

Zack Shutt, një nga themeluesit e biznesit, ka thënë për “The Guardian” se kompania qe regjistruar në nëntor të vitit të shkuar dhe se ekipi i tij s’ka qenë në dijeni për planet e Facebookut që ta përdorë “Metan” si pjesë të ribrendimit deri javën e shkuar.

Madje ai ka thënë se nuk do ta shesin emrin e biznesit për më pak se 20 milionë dollarë, nëse Zuckerbergu e kërkon atë.

Facebooku s’ka komentuar çështjen, por sipas burimeve të TMZ-së, në kompani s’janë të shqetësuar për këtë.

Edhe pse “Meta PCs” ka aplikuar për zyrtarizim të emrit të saj final, sipas ekspertëve, ka hapësira ligjore që ia mundësojnë Facebookut emrin e ri.

Një nga to është regjistrimi në një shtet tjetër dhe ta përdorë atë për të gjithë SHBA-në – praktikë që përdoret nga kompanitë e mëdha.

“Meta PCs” ka 25 punëtorë.

Pavarësisht krejt çështjes, kompania po bën shaka në rrjetet sociale me emrin.

“Për të reflektuar atë çka jemi dhe ajo që shpresojmë të ndërtojmë jam i lumtur të njoftoj se tani ne quhemi Facebook”, ka thënë në një video shakaje në rrjete sociale, shefi i “Meta PCs”, siç ka bërë ditë më parë Zuckerbergu.