7 ekipe mobile në 7 qytete të Kosovës për vaksinim anti-Covid

Sot dhe nesër, në shtatë qytete të Kosovës, qendra rajonale, do të ketë ekipe mobile për të vaksinuar qytetarët për COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kjo është edhe një mënyrë për t’iu gjetur qytetarëve më afër në mënyrë që të kryhet vaksinimi. Ndërkohë qendrat e vaksinimit do të vazhdojnë të jenë të hapura çdo ditë.

“Edhe një mundësi më shumë: Ekipet mobile të vaksinimit do të jenë sot në shtatë sheshe të qyteteve të Kosovës për t’ju ofruar qytetarëve vaksinimin kundër COVID-19. Ndërkohë, të gjitha qendrat e vaksinimit, gjithashtu, vazhdojnë të ofrojnë shpejt, lehtë dhe sigurt vaksinimin për çdo qytetar, sikurse deri më tani. Vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjen dhe të tjerët!”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ekipet mobile do të jenë në sheshet kryesore të qyteteve Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Gjakovë.

Deri më tash, janë administruar mbi 1.5 milionë vaksina për COVID-19.

Me dozën e parë janë vaksinuar 836.422 qytetarë, kurse dozën e dytë e kanë marrë 712.793 prej tyre.

Image