Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dhënë shpresa se mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, mund të kthehet shumë më herët se që është lajmëruar në fillim.
Xhaka u lëndua në derbin e Londrës ndërmjet Arsenalit dhe Tottenhamit në fund të shtatorit. Ekzaminimet mjekësore thanë se ai ka pësuar dëmtim serioz në ligamentin e brendshëm të gjurit dhe u tha po ashtu se reprezentuesi i Zvicrës do të mungojë tre muaj.
Por, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Crystal Palacen, tekniku spanjoll Arteta theksoi se shërimi i Xhakës ka përparim të madh.
“Graniti është duke përparuar shumë me përgatitje për ta lënë prapa lëndimin e rëndë që e pati në gju. Çfarë unë mund të them është se nëse i thua do të mungosh tre muaj, ai do të mendojë për dy muaj të rikthehet në fushë. Po bën punë shtesë për ta minimizuar atë periudhë kohore, kjo është e sigurt. Duhet që të kujdesemi të shërohet në mënyrë të duhur sepse është lëndim shumë i rëndë dhe dëshirojmë që ai të bëj rikthim të plotë”, tha Arteta.
Arsenali dhe Crystal Palace do të luajnë të hënën nga ora 21:00 në kuadër të xhiros së tetë në Premier League.