Rashica për faqen e Norwichit: Lufta na bëri më të fortë


Ylli i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Milot Rashica, në një intervistë për uebfaqen zyrtare të klubit të tij, Norwich City, në Premier League, ka folur për të kaluarën e tij dhe shtetit të Kosovës, në prag të përballjes me Suedinë në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”.

Sonte Rashica pritet ta ketë paraqitjen e 35-të për Kosovën që është e katërta në Grupin B me pesë pikë prapa Suedisë që është e dyta, dhe nëntë më pak se liderja Spanja. Gjithsesi, Rashica thotë se Kosova është e vendosur të japë gjithçka që mundet për të arritur qëllimet e saj.

Për uefbaqen e klubit ai ka folur për të kaluarën e tij dhe luftën në Kosovë. Ka kujtuar se ka qenë vetëm dy vjeç kur ai dhe familja e tij u detyruan të shkojnë në Shqipëri për shkak të luftës.

“Ishte shumë e vështirë. Isha vetëm dy vjeç kur nisi lufta, dhe nuk mbaj mend, por sigurisht që kemi folur me familjen dhe të gjithë që ishin dhe që i kanë të freskëta kujtimet. E di se familja ime qe detyruar të largohej drejt Shqipërisë dhe të qëndronte për disa muaj e më pas kur u kthye pa se gjithçka ishte djegur. Shtëpia dhe gjithçka tjetër. U desh të nisim gjithçka nga zeroja dhe ishte shumë vështirë për familjen time dhe të gjithë ne”, ka kujtuar Rashica.

Rashica ka thënë se ky moment e ka bërë më të fortë popullin e Kosovës.

“Mendoj se gjërat që ndodhën më herët, jo vetëm mua, por e bënë të gjithë popullin e Kosovës dhe Shqipërisë më të fortë. Tani mendoj se Kosova është shtet shumë i mirë dhe ka shumë njerëz që e vizitojnë. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe ua rekomandoj ta vizitoni”, ka thënë tutje ai.

Teksa uebfaqja ka vazhduar me shkrimin se Kosova vazhdon të ketë telashe politike për shkak se nuk njihet nga të gjitha vendet e botës, është theksuar edhe përballja që Kosova po ka në futboll me përfaqësueset e shteteve që s’e njohin Kosovën shtet. Në Grupin B Kosova luan me tri shtete që s’e njohin: Gjeorgjinë, Greqinë e Spanjën.

Rashica e ka kujtuar me krenari momentin e pranimit të Kosovës në UEFA më 2016.

“Jam një nga futbollistët e parë që është me kombëtaren që nga loja e parë. Është krenari sa herë luaj për Kosovën sepse shumë njerëz kanë luftuar më herët për këtë moment që të jemi të lirë e të luajmë dhe të jemi të njëjtë si të tjerët. Shumë njerëz kanë vdekur për këtë dhe sigurisht është krenari për të gjithë ne sa herë veshim fanellën e Kosovës. Jemi në drejtimin e duhur. Sapo e kemi nisur. Jemi shtet i ri, por me shumë potencial”, ka vazhduar 7-shi i Kosovës.

Rashica e ka përshkruar popullin e Kosovës si të çmendur pas futbollit. Ai ka thënë se kosovarët e kanë ndjekur atë si futbollist që nga Vitesse e deri te Norwichi.

“Është çmenduri, sidomos kur luajmë me ekipin përfaqësues. Numri i njerëzve që duan të vijnë në stadium është tejet i madh. Është vështirë të gjesh bileta, të gjithë përpiqen të marrin një për të ardhur, por edhe na ndjekin shumë neve futbollistëve nga Kosova dhe Shqipëria që luajmë në Premier League, Bundesligë apo kudo tjetër”, ka deklaruar më tej Rashica.

Në fund ai ka thënë se futbollistët e Kosovës ndihen krenarë që konsiderohen shembuj për fëmijët në vend. Ka thënë se futbollistët po bëjnë gjithçka që munden që t’i lumturojnë fëmijët e Kosovës.

Sonte Kosova luan me Suedinë.

Rashica nuk ka nisur mirë aventurën te Norwichi në Premier League. Kjo skuadër ka vetëm një pikë pas shtatë ndeshjeve të para. Është e fundit në tabelë.