Me një analizë të telasheve të thella të rrjetit social Facebook, e që u shpërfaqën në dy raste të ndara javën e fundit, revista prestigjioze amerikane, “Time”, i ka dhënë goditje gjigantit teknologji.
“A duhet të fshihet Facebooku apo jo?” është pyetja që është shfaqur në ballinën e prestigjiozes. Fotografia shfaq Mark Zuckerbergun, shefin e kompanisë me pyetjen që shtrohet në formë digjitale sikur te pajisjet telefonike kur dikush dëshiron të fshijë një aplikacion apo jo.
Analiza flet për rastin e Frances Haugenit. Ish-ekspertja e të dhënave në Facebooku ka thënë të martën para Kongresit Amerikan se produktet e rrjetit social i dëmtojnë fëmijët dhe nxisin polarizim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e dobësuar demokracinë, teksa ka shtuar se ekzekutivët e gjigantit social kanë fshehur hulumtimet rreth rreziqeve nga rrjeti, për t’i vënë përfitimet në rend të parë.
Analiza e thellë vë në pah shuarjen e ekipit në fjalë që “donte t’u shërbente interesave të njerëzve para Facebookut”.
Pos këtij problemi, Facebooku të hënën përjetoi rënien më të madhe nga sistemi, në histori duke mos u hapur për rreth gjashtë orë.