Themeluesi i kompanisë Facebook, Mark Zuckerberg, i cili njëherit ka në pronësi edhe Instagram dhe WhatsApp, ka bërë një postim ku ka mbrojtur punën në kompanitë që ai i menaxhon, duke hedhur poshtë pretendimet e ish-punëtores se rrjetet sociale po ndikojnë negativisht në shoqëri – duke i cilësuar këto pretendime si “të pakuptimta”.
Të martën ish-menaxherja e produkteve në Facebook, Frances Haugen ka dëshmuar në Kongres lidhur me dokumentet e brendshme që ia dha Wall Street Journal, transmeton Telegrafi.
Fokusi i seancës dëgjimore ishte hulumtimi i brendshëm në Facebook, që tregoi se Instagrami ka efekt negativ tek të rinjtë, por Haugen shfrytëzoi rastin për të sulmuar modelin e biznesit të kësaj kompanie – në veçanti algoritmin e “news feed”.
Zuckerberg kishte heshtur ndaj pretendimeve të Haugen sa i përketë dhënies së dokumenteve Wall Street Journal, në po të njëjtën ditë kur identiteti i saj u zbuluar në 60 Minutes.
I njëjti panel i Senatit me të cilët Haugen ka folur, kanë ftuar edhe Zuckerbergun që të dëshmojë, por ai deri më tani nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.