Mbi 2100 lehona përfituan pagesat e para nga shteti

2158 lehona kanë përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në masën 3.5 të kësaj pakoje, shteti u ka ofruar mbështetje prej 170 eurosh në muaj për 6 muaj rresht lehonat që ishin të papuna në 12 muajt e fundit. Ndërsa ndihmë prej 170 eurosh për tre muaj do të ketë për lehonat që kanë qenë të punësuara në vitin e fundit.

Kriteret vlenin për të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën pas 1 gushtit 2021.

Siç ka njoftuar Murati, 68 aplikuese kanë pasur të dhëna të pasakta. Sipas tij ato duhet të përmirësojnë të dhënat në uebfaqen “eKosova” dhe më pas do të paguhen edhe për muajin shtator retroaktivisht.

Në vendimin e prezantuar në fillim të shtatorit, ishte paraparë edhe ndihma për fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 apo 2021. Për fëmijët deri dy vjet shtesat do të jenë 20 euro në muaj, ndërsa ata nga dy deri 16 vjeç, nga 10 euro në muaj. Për këtë masë kanë mundur të aplikojnë të gjitha nënat që kanë lindur fëmijën në vitin 2020 apo 2021.

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, zgjerimi do të bëhet për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje. Grupmoshat e fëmijëve vazhdimisht do të zgjerohen si përfshirje e kësaj mase, ka premtuar Qeveria.