Kostoja e lartë për ndërtimin e infrastrukturës së gazit dhe një termocentrali me gaz dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike janë vetëm disa nga arsyet që ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli i ka theksuar si arsye të mos çuarjes përpara të projektit të gazjellësit.
Kosova e ka ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, Rizvanolli ka dhënë sqarime para deputetëve për arsyet e ndërprerjes së këtij projekti.
“Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë e cila është paraparë nga investim i Kosovës, grant nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj. Kjo kosto, kontigjencën e ka pasur 20 për qind që do të thotë ka mundur të shkojë deri në 455 milionë dollarë”, ka sqaruar Rizvanolli.
Rizvanolli ka bërë të ditur se edhe investitorët potencial të cilët i kanë intervistuar nuk kanë shprehur interesim për investim, derisa sipas saj , disa të tjerë kanë vënë kushte të pafavorshme për vendin.
Ajo ka thënë se financimi për gazsjellësin nuk ka qenë i paraparë të vijë nga MCC-ja. Sipas saj, nëse Kosova vendos për këtë projekt atëherë ai mund të realizohet me kredi përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe granteve nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.
Ministrja Rizvanolli thotë se si dilemë që është paraqitur në këtë projekt është edhe arsyeshmëria ekonomike.
“Javën e kaluar kemi takuar përfaqësuesit e Ferronikelit të cilët na kanë njoftuar që vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin dhe të mbulonin vetëm 15 për qind të kërkesës së tyre për energji elektrike”, tha Rizvanolli.
Mbi të gjitha ministrja ka treguar se sipas disa përllogaritjeve të bëra, ‘40 euro për një megavat ka qenë vetëm kostoja e paraparë e gazit që është më e shtrenjtë 30 për qind sesa kostoja aktuale e prodhimit të energjisë elektrike’.
“Është pritur që së paku për dy herë të rritet çmimi i energjisë elektrike”, tha ajo.
Më herët, zëdhënësi i MCC-së, Marc Rockwell-Pate, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë ka thënë se “MCC-ja mirëpret që të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa ne punojmë për të ulur varfërinë dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”.
“Përmirësimi i shkallës së investimeve potenciale është një pozitiv drejt finalizimit dhe nënshkrimit të kompaktit midis MCC-së dhe Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i MCC-së.
Sqarimet për projektin e infrastrukturës së gazit nga ministrja Rizvanolli kanë ardhur pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar qeverinë se po bën gabime të mëdha lidhur më këtë projekt.
Partitë opozitare kanë thënë se me tërheqjen e Kosovës nga ky projekt po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.
Qeveria e Kosovës, sipas opozitës, ka refuzuar projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, që do t’i siguronte shtetit furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik.
Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike, e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obiliqit. Rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.
Metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.
Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.