Java e tetë në elitën e futbollit kosovar do të vazhdojë sot me tri ndeshje që janë në program për tu zhvilluar.
Padyshim që dueli kryesor i ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan, ku përballë janë dy rivalët e vjetër, Drita dhe Prishtina.
Dy skuadrat bardhekaltër kanë një rivalitet të madh mes vete dhe kjo e bën edhe më të bukur derbin që do të zhvillohet me fillim nga ora 15:00.
Drita në këtë takim vije pas dy humbjeve radhazi dhe kërkon të rikthehet te fitoret në kampionat.
Në anën tjetër edhe Prishtina ka gabuar në xhiron e fundit, pasi luajti baras 1-1 me Ulpianën dhe udhëtojnë drejt Gjilanit për tu rikthyer te fitoret.
Ndeshje fantastike na pret edhe në Merdare, ku Llapi pret Dukagjinin.
Llapjanët ende nuk kanë shijuar fitoret këtë edicion dhe një gjë të tillë synojnë ta bëjnë ndaj Dukagjinit që në këtë takim udhëton e motivuar pas triumfit ndaj Dritës.
Dueli tjetër i ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.
Feronikeli pret Ulpianën, ku dy skuadrat barazuan në xhiron e fundit dhe duan të rikthehen te fitoret./Telegrafi/