Andin Hoti: Nuk kam informata se janë gjetur eshtrat e babait tim

Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, ka mohuar raportimet për gjetjen dhe rikthimin në Kosovë të eshtrave të babait të tij, ish-profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës i zhdukur 22 vjet më parë.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se sot, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, është takuar me përfaqësues të Kryqit të Kuq por se nuk është diskutuar çështja e eshtrave të babait të tij.

Eshtrat e Ukshin Hotit do të kthehen në Kosovë?

“Bëhet fjalë ose për ndonjë keqkuptim ose për diçka tjetër që nuk jam në dijeni, sepse lidhje nuk ka me babanë time kjo çështje. Jam takuar sot me Kryqin e Kuq por nuk e ka diskutuar askush këtë çështje”, ka deklaruar Andin Hoti për Insajderin.

Sipas raportimit të portalit Albanian Post, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar do të njoftojë “së shpejti” për rikthimin e mbetjeve të Ukshin Hotit si dhe disa personave të tjerë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Bazuar në raportimin e Albanian Post, organet në Serbi prej kohësh kanë provuar që të vihen në kontakt me njerëz në Kosovë për të gjetur një modalitet që mbetjet e kufomave, përfshirë ato të Ukshin Hotit, të kthehen, por të mos u dorëzohen institucioneve në Prishtinë.

Andin Hoti, ka thënë se nuk është në dijeni për informata të tilla në lidhje me babanë e tij.

“Ka mundur të keqinterpretohet kjo informatë ose e ka bërë dikush qëllimshëm sepse jemi duke i kthyer trupat e gjetur në varrezën masive në Krizhevak”, ka thënë Andin Hoti të hënën.

Portali Albanian Post, nga burimet brenda Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, raportoi sot se tashmë është arritur akordim që eshtrat e intelektualit dhe ish-profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës, të kthehen në Kosovë.

Bashkë me mbetjet e Hotit, i cili mungon qe 22 vjet, prejse herën e fundit u pa nga shokët e tij të qelisë me 16 maj të vitit 1999, do të kthehen edhe eshtrat e gjashtë të zhdukurve të tjerë, shkroi sot Albanian Post.

Ditën e daljes nga burgu, Ukshin Hoti ishte rrëmbyer, më pas ai ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave.

Kështu u zbulua nga disa dokumente të siguruara nga redaksia e emisionit “Udhëve” në RTK, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesisë për krime lufte.

Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb.

Jo zyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shtetëror serb me kodin 9787960, ai që e priti te dera e burgut.

Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar.

Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 thuhet se një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999.

Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës.

Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë dhe formën se si ishte vrarë Ukshin Hoti. /Insajderi.org/