Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, u ka uruar të hënën të gjithë nxënësve dhe mësuesve vitin e ri shkollor.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Nagavci ka thënë se autoritetet janë duke tentuar që të bëjnë më të mirën në këtë vit shkollor, kur njerëzimi ende po përballet me pandeminë e koronavirusit.
“Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim”, ka thënë mes tjerash ajo.
Viti i ri shkollor, që rëndom nis më 1 shtator, këtë vit është shtyrë për shkak të situatës së rënduar epidemiologjike me pandeminë, në fillim të muajit shtator në Kosovë.
Autoritetet nuk kanë parapëlqyer nisje të vitit të ri shkollor online, andaj të gjithë nxënësit dhe mësuesit janë kthyer nëpër ambiente shkollore me 27 shtator.
Për dallim nga fillimi i shtatorit, së fundmi autoritetet shëndetësore kanë regjistruar ulje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Të dielën, më 26 shtator, janë regjistruar pesë viktima dhe 77 raste të reja të infektimit.
Raste aktive janë 4.176.
Që prej fundit të marsit, kur Kosova nisi fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, e deri më tani, me dy dozat e vaksinës janë vaksinuar 503.498 persona.
Në Kosovë përdoren vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.