Pesë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të mërkurën, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar edhe 160 raste të reja pozitive nga testimi i 4904 mostrave. Me shërimin e 1039 personave, numri i rasteve aktive ka rënë në 6751.
Ndërkaq sa i përket shifrave të përgjithshme, nga fillimi i pandemisë kanë humbur betejën me virusin 2917 persona. Janë regjistruar 159 mijë e 488 raste pozitive, ndërsa janë shëruar 149 mijë e 820 pacientë.
Sipas raportit ditor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka pasur rënie të rasteve të pacientëve të shtrirë në klinikat dhe spitalet e Kosovës. Aktualisht janë duke marrë trajtim 497 pacientë, prej tyre 46 në gjendje të rëndë shëndetësore.