Në Qendrën e Korrektuese Dubravë, pas një informacioni konfidencial nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda kësaj qendre.
Me të pranuar informacionin, sipas kumtesës nga SHKK, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarr veprimet e nevojshme, me ç’rast kanë lokalizuar dy pako të ardhura për dy të burgosur, në të cilat bastisja ka rezultuar pozitive, ku brenda pakove në mënyrë të kamufluar është gjetur substancë e dyshuar narkotike.
Të burgosurit e dyshuar se pakot me gjëra të kamufluara kanë qenë të dedikuar për ta, janë veçuar dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore, ndërsa për rastin është njoftuar edhe policia.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre dukurive negative të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj.