Konjufca në takim me Lajçakun: Dialogu të rezultojë me njohje reciproke

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me përfaqësuesen e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit Konjufca ka thënë se dialogu duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë dhe ka përsëritur qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

“Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit po ashtu vuri në spikamë angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Lajçak është në vizitë treditore në Kosovë. Ai vizitën e nisi të mërkurën, ku pati takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Sot gjatë ditës do të takohet me krerët e partive opozitare si dhe me përfaqësues të OJQ-ve e po ashtu me Odën Ekonomike të Kosovës.

Lajçak pas takimit me Konjufcen ka mbërritur në zyrat e PDK-së. Ai do të takohet me kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqi.